Radio

G Radio

NjerëzTiranë, Shqipëri

CIAK, RINISIM

Jonid Jorgji për rikthimin e festivalit, identitetin e kinemasë shqiptare dhe rrugën drejt një kapitulli të ri.

Nga Xhani Shqerra, Editor in Chief8 min lexim
Ndaj
Skena
Foto: Gent Onuzi

Ka rikthime që nuk janë thjesht rikthime. Janë një mënyrë për t’i kujtuar një qyteti se disa gjëra kanë ende nevojë të ndodhin, të shihen, të dëgjohen dhe mbi të gjitha, të përjetohen bashkë. Rikthimi i Festivalit të Filmit vjen pikërisht në këtë kohë. Në një Shqipëri që po ndryshon me shpejtësi, kinemaja mbetet një nga ato hapësira ku një vend mund të ndalet për pak, të shohë veten dhe të dialogojë me botën. Një festival nuk është vetëm ekrani, filmi apo çmimi. Është takimi mes njerëzve, ideve dhe historive që për disa ditë i japin qytetit një tjetër ritëm. Në këtë rikthim, roli i z. Jonid Jorgji, drejtues i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, është veçanërisht i rëndësishëm. Jo vetëm si drejtues dhe organizator, por si një prej njerëzve që besojnë se kultura nuk duhet të jetë dekor i një qyteti, por pjesë e identitetit të tij. Të rikthesh një festival do të thotë të rikthesh një traditë, por edhe të marrësh përsipër ta çosh atë më tej. Dhe ndoshta ky është kuptimi më i bukur i kinemasë: të na bëjë të udhëtojmë drejt historive të të tjerëve, për të kuptuar më mirë edhe historinë tonë. Për G Travel with Style, një festival filmi është pikërisht kjo: një tjetër formë udhëtimi. Jo me valixhe, por me sy, me mendje dhe me emocione.

Jorgji

Një festival filmi nuk matet vetëm me numrin e filmave që shfaq. Si e matni ju suksesin e tij: me cilësinë artistike, me publikun që krijon apo me gjurmën kulturore që lë pas?

Suksesi i vërtetë qëndron jo vetëm te shifrat dhe te numri i titujve në program por matet te frymëmarrja e sallës: te ai moment kur dritat fiken dhe publiku përjeton një ngjarje kolektive. Nëse do t'i rendisja, cilësia artistike është kushti i parë i panegociueshëm, sepse pa të nuk ka art. Por një festival merr kuptim të plotë vetëm kur krijon publikun e ri dhe lë pas një gjurmë kulturore. Rikthimi i këtij festivali pas 14 vitesh matet me debatin që ai nxit, me urat që ndërton mes artistëve të rinj e veteranëve, dhe me vetëdijen se kinemaja shqiptare ka sërish shtëpinë e saj ku mat pulsin e kohës.

Kinemaja është edhe një formë e kujtesës kolektive. Çfarë mendoni se po i thotë kinemaja shqiptare sot shoqërisë sonë për mënyrën se si e shohim veten?

Kinemaja shqiptare e sotme është në kërkim të një balance mes traumave të së shkuarës dhe kontradiktave të së tashmes. Nëse dikur kinemaja mbante një rol didaktik apo ideologjik, sot autorët tanë po tregojnë histori më intime, më njerëzore dhe më komplekse. Filmi sot po na tregon se nuk kemi pse të frikësohemi nga hijet tona, por duhet t'i shohim ato në sy për të kuptuar se kush jemi sot në raport me veten dhe me botën.

Në një treg ku prodhimi kinematografik shqiptar ende përballet me kufizime financiare, a duhet ta shohim filmin më shumë si art që kërkon mbështetje apo si industri që mund të gjenerojë ekonomi?

Filmi është art nga zanafilla, por industri nga funksionimi. Diferenca mes të dyjave është koncept i vjetruar. Në një treg të vogël si i yni, filmi ka nevojë jetike për mbështetjen e shtetit ashtu siç ndodh edhe në vendet me traditë të fuqishme kinematografike në Europë. Por, mbështetja shtetërore nuk duhet parë si bamirësi apo subvencion pasiv, por si investim strategjik. Përmes instrumenteve si cash rebate (rimbursimi financiar për xhirimet), diversifilkimi i prurjeve te tjera financiare publime dhe private per filmin, bashkëprodhimeve ndërkombëtare dhe tërheqjes së produksioneve të huaja, filmi shndërrohet në një motor ekonomik real që punëson mijëra profesionistë dhe gjeneron të ardhura për vendin.

Filmat e mirë nuk tregojnë vetëm histori; ndërtojnë imazhe për vende. A mendoni se Shqipëria ende nuk e ka shfrytëzuar plotësisht kinemanë si instrument të diplomacisë kulturore dhe të imazhit ndërkombëtar?

Absolutisht po. Kinemaja është karta më e fuqishme e vizitës që mund të ketë një komb. Një film i suksesshëm bën më shumë për imazhin e një vendi sesa dhjetëra fushata klasike promovuese. Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në nënshkrimin e marrëveshjeve dypalëshe të bashkëprodhimit (siç është marrëveshja historike e nënshkruar së fundmi me Francën), por duhet të jemi ende më të “shkathët” institucionalisht. Kinemaja duhet të jetë në qendër të diplomacisë sonë kulturore për të treguar një Shqipëri moderne, me narratativë bashkëkohore dhe me energji kreative që kapërcen kufijtë tanë.

Turizmi sot nuk kërkon vetëm peizazhe, por histori. Sa potencial ka një film për ta kthyer një qytet, një fshat apo një territor shqiptar në një destinacion që publiku dëshiron ta njohë nga afër?

Potenciali është i jashtëzakonshëm. Kjo njihet botërisht si film-induced tourism. Shqipëria zotëron një diversitet të rrallë gjeografik e arkitekturor në distanca shumë të shkurtra nga kalatë historike, qendrat osmane, te Alpet e egra dhe bregdeti jugor. Kur një territor kthehet në skenografi filmi, ai fiton një shpirt. Publiku nuk kërkon më thjesht të shohë një peizazh; ai kërkon të shkelë në vendin ku është zhvilluar një histori që e ka prekur emocionalisht. Një film i mirë mund të kthejë një fshat të harruar në veri apo jug në një pikë referimi në hartën kulturore e turistike.

Ka një rrezik që, kur kultura lidhet shumë me turizmin, arti të kthehet në produkt. Ku vendosni ju kufirin mes promovimit të një territori dhe komercializimit të kulturës së tij?

Kufiri vendoset te vërtetësia e narrativës. Kur filmi përdor territorin si një kornizë organike ku zhvillohen karakteret dhe drama njerëzore, promovimi vjen si pasojë natyrore e vetvetishme. Rreziku lind kur filmi ose iniciativa kulturore degradon në një "kartolinë komerciale" që tjetërson trashëgiminë e shpirtin e vendit për konsum të shpejtë. Roli ynë si QKK është të mbrojmë integritetin artistik të autorit. Nëse historia është e vërtetë dhe arti është i fuqishëm, respekti për territorin ruhet automatikisht.

Festivalet krijojnë ekonomi edhe jashtë sallës së kinemasë: hotele, restorante, transport, shërbime, profesionistë. A e shihni festivalin si një ngjarje kulturore që prodhon edhe një ekonomi të përkohshme rreth vetes?

Pa asnjë dyshim. Çdo festival filmi nuk zhvillohet në vakum. Gjatë ditëve të festivalit, ekosistemi lokal përfiton drejtpërdrejt: hotele të mbushura, restorante, shërbime transporti, logjistikë, marketing, teknologji e produksionit dhe punësim i profesionistëve të rinj. Për më tepër, festivali krijon rrjete kontaktesh (networking) mes producentëve vendas e ndërkombëtarë që gatuajnë projektet e së nesërmes. Ajo që duket si ekonomi e përkohshme gjatë ditëve të ngjarjes, mbjell farën për investime e projekte të qëndrueshme gjatë gjithë vitit.

Çfarë i mungon sot Shqipërisë për të krijuar një ekosistem të vërtetë kinematografik: financimi, skenaristët, producentët, infrastruktura, edukimi i publikut apo një strategji e qartë shtetërore?

Ekosistemi kërkon një zinxhir ku secili hallke duhet të jetë e fortë. Sot na mungon infrastruktura moderne prodhimi dhe distribuimi (studio xhirimi të standardeve ndërkombëtare, kinema publike e me standarde në të gjitha qytet e vendit) dhe një rrjet më të madh profesionistesh të profilizuar. Së dyti, na nevojitet rritja e buxheteve të financimit dhe konsolidimi i plotë i kuadrit ligjor për industri audiovizuale përmes transformimit institucional. Duhet të punojmë paralelisht me edukimin e publikut që në moshat e reja, sepse pa një publik që e do dhe e kupton kinemanë, çdo përpjekje tjetër mbetet e cunguar.

Nëse një film është një mënyrë për të parë botën përmes syve të dikujt tjetër, çfarë roli duhet të ketë një festival shqiptar në hapjen e Shqipërisë ndaj Europës dhe në sjelljen e Europës këtu?

Festivalet dhe sidomos ato ndërkombëtare duhet të funksionojnë si një urë dypalëshe. Nga njëra anë, festivali është dritarja ku Europa vjen dhe zbulot talentet, historitë, peizazhet dhe energjinë e veçantë të kinemasë shqiptare. Nga ana tjetër, është platforma ku kinemaja europiane, përvojat dhe modelet më të mira të saj i sillen publikut dhe krijuesve tanë. Përmes paneleve profesionale, platformave të bashkëprodhimit dhe pranisë së delegacioneve ndërkombëtare, festivali e vendos Shqipërinë në qendër të dialogut kulturor rajonal e europian.

Dhe në fund, përtej këtij edicioni: a mund të imagjinohet një ditë kur një festival shqiptar filmi të mos jetë thjesht një event kulturor në kalendar, por një pikë referimi për kinemanë, turizmin kulturor dhe ekonominë kreative të vendit?

Ky është vizioni ynë afatgjatë. Rikthimi i Festivalit Kombëtar të Filmit pas 14 vitesh ishte hapi i parë kritik për të rivendosur themelin. Sfidat e ardhshme nuk janë thjesht organizative, por strategjike. E imagjinoj këtë festival jo si një ngjarje statike disaditore në Tiranë, por si një platformë dinamike mbarëkombëtare që shtrihet në hapësirë e kohë, që ndërlidh trashëgiminë talemtet e reja shqiptare qe do te promovohen dhe që shërben si katalizator i pashmangshëm për turizmin kulturor dhe ekonominë kreative të të gjithë trevave Shqiptare.

Skene

Ndoshta ky është edhe drejtimi që duhet të kërkojmë: të mos përpiqemi të jemi Cannes-i i dikujt tjetër, as të kopjojmë gjuhën e një Almodovari. Kinemaja shqiptare duhet të gjejë forcën e vet te temperamenti ynë, te kontradiktat tona, te mënyra si e përjetojmë jetën, te historia, humori, dhimbja dhe energjia e kësaj pjese të botës. Por bashkë me kinemanë duhet të rikthejmë edhe magjinë e ekranit të madh. Në një vend ku duhet të rindërtojmë kulturën e sallës dhe vetë hapësirat ku publiku mblidhet për të parë një film, festivali mund të bëhet më shumë se një ngjarje: një kujtesë se kinemaja është edhe përjetim kolektiv. Sepse një kinema bëhet e rëndësishme jo kur i ngjan dikujt tjetër, por kur arrin të ketë një zë që nuk mund të vijë nga askund tjetër.

Festivali i filmit

Shqipëria ka nevojë jo vetëm për filma që flasin për të, por për ekrane të mëdha ku ajo të mund të shohë veten.

Xhani Shqerra
festival cinema tirana

Buletini

Udhëto me Stil, drejt asaj që të frymëzon.

Bashkohu me buletinin tonë për të marrë rrëfime udhëtimi, destinacione të reja, ftesa ekskluzive dhe përzgjedhjet më të mira nga G Travel with Style.

Të dhënat i përdorim vetëm për të dërguar buletinin. Çregjistrohu kurdo.